SHBA JEP DRITËN JESHILE: NIS PROJEKTI GJIGAND I SHPIMIT PËR NAFTË NË ALASKË

Qeveria amerikane i dha dritën jeshile një projekti gjigand shpimi për naftë në Alaskë, falë të cilit gjatë dekadave të ardhshme, pritet të nxirren rreth 600 milionë fuçi naftë brenda territorit sipas një deklarate nga Departamenti i Brendshëm në Uashington.

Kostoja e projektit vlerësohet në rreth tetë miliardë dollarë.

Ai llogaritet të krijojë 2500 vende pune gjatë fazës së ndërtimit dhe 300 në plan afatgjatë.

Kompania Conoco Phillipspret një prodhim prej 180.000 fuçi nafte në ditë.

Projekti pritet të sjellë miliarda dollarë për shtetin dhe rajonin nëpërmjet taksave dhe tarifave të licencës, prandaj gëzon mbështetje edhe nga rajoni.

Presidenti amerikan Biden kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se nuk do të autorizonte asnjë shpim të ri në tokën shtetërore, kujtojnë mediat gjermane.

Fushat e naftës gjenden në shpatin verior, pjesa veriore e Alaskës, e cila është shumë pak e populluar dhe kryesisht e paprekur.

Planet e Conoco Phillips fillimisht ishin më të mëdha dhe përfshinin rrugë, disa ura dhe tubacione dhe më shumë fusha nafte. Ish-administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump e kishte miratuar tashmë projektin, por një gjykatë kritikoi ndikimin e tij mjedisor dhe e ndaloi në vitin 2021.

Ambientalistët e kritikuan vendimin, duke kujtuar se ai bie ndesh me premtimet e mëhershme të Bidenit dhe thonë se do ta apelojnë në gjykatë.

SHARE