Hasude me Karrota është receta fantastike e delikatesës së amvisave shqiptare në kuzhinë.
Hasudja është një ëmbëlsirë e shijshme, e lehtë dhe e butë. Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të përgatitet me gjithçka duke nisur nga rrushi i thatë deri tek arrorët. Por, sot fantazia në kuzhinë ka pasuruar edhe më shumë recetën tradicionale duke sjellë shije mbresëlënëse.
Ndër kombinimet më fantastike, karrota është kthyer në një përbërës interesant të hasudes.
Hasudja është një ëmbëlsirë shqiptare që daton që në mesjetë. Ajo ka një origjinë nga vendet e Lindjes. Mënyrat e përgatitjes janë të larmishme dhe dallojnë nga njëri vend në tjetrin. Por të gjitha recetat e hasudes kanë të përbashkët lehtësinë e të përgatiturit në kushtet e shtëpisë.
Në aspektin shpirtëror, hasudja nënkupton triumfin e të mirës kundër të keqes, shpresës kundër dëshpërimit dhe diturisë kundër injorancës. Në aspektin e kulinarisë, ajo është një ëmbëlsirë që s’ka të sharë.
Receta që rekomandon AgroWeb.org synon të përafrojë modernen me tradicionalen.
Karrotat rriten me bollëk në Shqipëri. Ato kushtojnë lirë dhe janë shumë të shëndetshme. Hasudja me karrotë përbën zgjedhjen perfekte për të kënaqur dëshirën kryeneçe për diçka të ëmbël.
Shefat më të famshëm të kuzhinës përdorin karrotë të grirë hollë për t’i dhënë ëmbëlsirës një strukturë homogjene. Të tjerë preferojnë karrotë të grirë trashë për një hasude më të mbushur por që kërkon më shumë kohë për tu gatuar.
Hasudja me karrotë gatuhet me qumësht të plotë të zier ngadalë deri në fazën e ëmbëlsimit.
Fruti, arrorët dhe erëzat
Kjo ëmbëlsirë perimesh pasurohet me fruta dhe arrorë. Ju mund të përdorni gjithçka që ju gjendet në shtëpi duke nisur nga bajamet, fistikët, arrën e kokosit dhe rrushin e thatë. Shefat më të famshëm të kuzhinës rekomandojnë shumë përdorimin e frutave të thata.
Nxehtësia e pudingut do t’i fryjë rrushtë e thatë dhe do u japë një shije më të mirë. Nëse dëshironi një shije superiore, arrorët mund t’i karamelizoni me pak gjalpë dhe sheqer bashkë me kanellën.
Hasudja perfekte me karrotë
Racione: 4
8 fara karafili
25g gjalpë
500g karrota të qëruara dhe të grira
250 g niseshte
250ml qumësht
Pak vanilje
50g sheqer kaf
50g sheqer të bardhë
Një grusht me rrush të thatë ose stafidhe
20g qumësht pluhur (opsional)
Një grusht me fistik, bajame, ose shqeme të copëtuara
Përgatitja
Shtypini farat e karafilit në një havan shtypjeje. Ngroheni gjalpin në një tenxhere në temperaturë mesatare. Hidhni pluhurin e karafilit dhe kavërdiseni gjalpin për një minutë. Më pas shtoni karrotat, niseshten dhe pak kripë.
Kavërdisini për pesë minuta dhe më pas ngrijeni temperaturën. Përzijini në nxehtësi edhe për pesë minuta të tjera deri sa karrotat të zbuten dhe thahen. I gjithë procesi zgjat 15 minuta.
Shtoni qumështin dhe vaniljen dhe lërini të ziejnë në zjarr mesatar. Përzijini përbërësit vazhdimisht deri sa i gjithë lëngu të ketë avulluar.
Shtoni sheqerin dhe frutat e thata dhe vazhdoni me përzierjen deri sa e gjithë masa të trashet. Shtoni qumështin pluhur dhe vazhdoni zierjen për një minutë. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Përpara servirjes, zbukurojeni hasuden me pak bajame./AgroWeb.org