NË PRITJE TË ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE ËSHTË RRITUR NUMRI I SULMEVE KIBERNETIKE

Në Mal të Zi, në pritje të zgjedhjeve presidenciale, është rritur numri i sulmeve kibernetike në infrastrukturën informative, por atyre iu është dhënë përgjigjja në mënyrë adekuate dhe nuk është ndërprerë puna e institucioneve shtetërore, njofton Ministria e Administratës Publike.

Ministri Dukaj ka takuar në Bruksel zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, Marko Makovec.  

Siç u tha, në takim u njoftua se Komisioni Evropian (KE) mbështet fuqishëm integrimin evropian të Malit të Zi dhe se do të ndihmojë të gjitha projektet e ardhshme të MAP në lidhje me sigurinë kibernetike.

Makovec tha se Mali i Zi ka mbështetjen e plotë të KE-së për t’u përkushtuar edhe më me vendosmëri për integrimin evropian.

Dukaj mësohet të ketë thënë se synimi i Ministrisë së Administratës Publike është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë, si dhe arritja e standardeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kjo është një mundësi për të promovuar rezultatet e arritura dhe progresin e Malit të Zi në procesin e reformës së administratës publike dhe transformimit digjital, si dhe për të rishikuar rekomandimet e KE-së nga raporti për Malin e Zi”, tha Dukaj.

Me takimin e sotëm të ekipit të Ministrisë së Administratës Publike në Qendrën Belge të Sigurisë Kibernetike, Belgjika dhe Mali i Zi vendosën bashkëpunim konkret në fushën e mbrojtjes kundër sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike.

Siç njofton ministri Dukaj, në takim është rënë dakord për shkëmbimin e informacionit operacional dhe ekspertizës së CERT-ve shtetërore.

SHARE