I dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të formohet në Kosovë, pasi “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.
Sipas tij, Asociacioni është parakushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Lajçak i ka bërë këto deklarata në një intervistë që pritet të publikohet mbrëmjen e së martës në televizionin publik serb, pak ditë para takimit që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, ata kanë thënë se pajtohen me përmbajtjen e dokumentit, që quhet edhe “Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve”.