Komisioni Evropian po planifikon rritjen e sigurisë në det dhe në hapësirë, sipas dy dokumenteve strategjike të miratuara sot.
Masa vjen pas shpërthimit të tubacioneve të gazit “Nord Stream” vitin e kaluar, i cili rriti shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike nënujore.
“Së bashku me ajrin, hapësirën e jashtme dhe hapësirën kibernetike, deti është një fushë strategjike gjithnjë e më e kontestuar”, tha në një deklaratë shefi i marrëdhënieve të jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Komisioni synon të përshtatë strategjinë e tij aktuale detare përmes trajnimeve detare në nivel të BE-së, operacione shtesë të rojeve bregdetare dhe bashkëpunim me organizata të tjera ndërkombëtare si NATO dhe Kombet e Bashkuara”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Rritja e konkurrencës gjeopolitike, sulmet hibride dhe kibernetike, si dhe ndryshimet klimatike dhe degradimi i mjedisit detar janë ndër shqetësimet e komisionit.
Për hapësirën, komisioni synon të fillojë punën për të siguruar aksesin në hapësirë në afat të gjatë dhe për të rritur sovranitetin e tij teknologjik.
Qëllimet shtesë përfshijnë përmirësimin e mbrojtjes së sistemit satelitor Galileo të BE-së, zbulimin më cilësor të objekteve hapësinore dhe kryerjen e ushtrimeve hapësinore.
“Shumë nga gjërat që bëjmë në hapësirë janë vendimtare për funksionimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit, Margrethe Vestager.