Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave prezantuan masat mbështetëse nga buxheti bujqësor për këtë vit për prodhuesit bujqësorë në Plevle, Rozhajeë Bijello Pole, Ulqin, Plavë, Guci, Tivar dhe Petnjicë.
Ministria përkatëse njoftoi se prodhuesit kanë shprehur interesim të veçantë për masat mbështetëse që mund të realizohen për pagesat direkte në prodhimtarinë blegtorale dhe bimore, mbjelljen e plantacioneve të reja, prokurimin e sistemeve të mekanizimit dhe ujitjes, si dhe një sërë masash të tjera mbështetëse për prodhimin bujqësor.
Pas prezantimit të masave mbështetëse, prodhuesit bujqësorë, në një diskutim me përfaqësues të Ministrisë, prezantuan problemet me të cilat përballen, duke iu referuar veçanërisht rritjes së çmimeve të inputeve në prodhimin bujqësor, të shkaktuar nga ndërprerjet në tregun botëror.
Mjetet e ndara nga agro-buxheti për këtë vit arrijnë në mbi 66 milionë euro. Nga buxheti i shtetit janë ndarë 44.72 milionë euro, donacione rreth 11.5 milionë euro dhe kredi 9.8 milionë euro.