Një ëmbëlsirë e freskët dhe kremoze, e lehtë dhe e shpejtë për t’u përgatitur, ideale për të përfunduar një drekë në pranverë dhe verë.
Kjo recetë ndryshon nga tradicionalja sepse është më e lehtë dhe e freskët në shije falë kremit të limonit.
Provoni ta përgatisni që sot këtë recetë të mrekullueshme që AgroWeb.org sugjeron, duke ndjekur hapat si më poshtë.
Përbërësit (për 8 persona)
200 g biskota savoiard
500 g krem pastiçerie me limon
250 ml pana
150 g maskarpone
50 g sheqer
1 shishkë me shije limoni
½ lugë shafran i Indisë (opsionale)
400 ml qumësht
1 limon
Përgatitja
Për të përgatitur këtë ëmbëlsirë, filloni të rrihni kremin e ftohtë të panës në një tas të madh. Pas disa minutash hidhni sheqerin duke vazhduar përzierjen.
Shtoni shishkën me shije limoni dhe gjysmë luge çaji shafran Indie, i cili përdoret për të ngjyrosur kremin.
Grini pak lëkurë limoni, shtoni maskarponen dhe përpunojeni me një mikser elektrik dore.
Shtoni aty edhe kremin e pastiçerisë me limon, i cili duhet të jetë shumë i ftohtë. Përziejini butësisht me lëvizje nga poshtë lart. Në fund do të përftoni një krem të butë dhe homogjen.
Tani vazhdoni me përgatitjen e tavës (përmasat e përdorua janë 26 x 22 cm), ku shtresa e parë janë biskotat e ngjyera në qumësht.
Sipër tyre vendosni një shtresë me kremin që përgatitët dhe më pas një tjetër shtresë biskotash. Përfundoni me një shtresë tjetër kremi.
Zbukurojeni me disa feta dhe me lëkura limoni të grira.
Pasi të jetë gati lëreni pushojë në frigorifer për të paktën 4 orë përpara se ta servirni.
Këshilla
Për t’i dhënë tortës një ngjyrë të verdhë të ndezur, përdorni gjysmë luge çaji shafran Indie.
Në vend të biskotave savoiard, ju mund të përdorni edhe lloje të tjera apo edhe pandispanjë për të krijuar shtresat e tortës.
Një gjë shumë e rëndësishme që duhet të keni parasysh, është që kremi i limonit duhet të jetë i ftohtë përpara se t’i shtohet kremit të rrahur me maskarpone.
Idealja është ta përgatisni kremin një ditë më parë dhe ta ruani në frigorifer të mbuluar.
Për një shije sa më të fresëkët AgroWeb.org sugjeron ta konsumoni brenda 24 orëve.