I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të enjten nisi vizitën dyditore në Prishtinë, që synim ka përgatitjet për rundin e ri të dialogut dhe për planin për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit për media, Osmani gjatë takimit tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në frymën e “paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.
Osmani tha po ashtu se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë dhe mbetet e angazhuar në këtë proces, “ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Pas takimit me Osmanin, Lajçak nisi takimin dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtari i lartë evropianë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare.