Nga Kievi në Odesa, pothuajse i gjithë territori ukrainas u gjend mbrëmjen e djeshme nën breshërinë e raketave të Moskës.
Të paktën 5 persona kanë humbur jetën, e në shumë rajone pati ndërprerje të energjisë elektrike, përfshirë kryeqytetin Kiev.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan për orë të tëra në mbarë vendin e kudo u aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore, teksa nuk është ende e qartë sesa raketa i goditën objektivat.
Në Ukrainën lindore, 15 raketa goditën Harkivin duke dëmtuar edhe ndërtesa banimi.
Goditjet ruse janë përqëndruar në lindje, jug dhe perëndim të vendit si dhe në Kiev.
Banorët e kryeqytetit raportojnë në mediat sociale për shpërthime të rënda.
Kryebashkiaku Vitali Klitshko konfirmoi në rrjetin Telegram sulmet në zonën jugore Holosijiv.
Ka pasur dy të plagosur në një lagje tjetër të Kievit në Svjatoshyn.
Për shkak të shpërthimit në një qendër të rrjetit elektrik 40% e banorëve në Kiev nuk mund të përdorin ngrohjen.
Sulme me raketa u shënua dhe në Odesa, ku gjithashtu njerëzit mbetën në errësirë për shkak të shkatërrimeve në infrastrukturën energjitike rajonale.
Rusia e ka goditur Ukrainën me sulme masive raketore që nga tetori i vitit të kaluar.
Fillimisht, breshëritë me raketa që kishin në shenjester infrastrukturën energjetike të vendit u zhvilluan çdo javë, duke zhytur qytete të tëra në errësirë, por u rralluan me kalimin e kohës, cka bëri te mendohej se Moska mund të jetë duke kursyer municione. Sulmi i fundit masiv, përpara këtij të fundit, ka qenë në 16 shkurt.