SHQIPËRIA DHE KOSOVA SHËNOJNË DITËN NDËRKOMBËTARE TË GRUAS

Në Shqipëri është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku janë organizuar aktivitete të ndryshme, por edhe protestë sensibilizuese.

Në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë është vendosur instalacioni artistik “Këpucët e kuqe”, si nismë ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave.

Aktivitetit “Këpucët e kuqe” iu janë bashkuar deputete të Kuvendit të Shqipërisë, zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të ambasadave, si dhe artistë.

Nga ana tjetër, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me thirrjen e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë është organizuar protesta sensibilizuese me sloganin “Protestojmë për të drejtat tona”. 

Ndërkohë, me rastin e 8 Marsit, mesazhet e tyre i kanë përcjellë edhe zyrtarët e lartë të Shqipërisë, si presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama. 

Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, qindra qytetarë kanë marshuar duke ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave.

Me thirrjet “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa gra të dhunuara”, “Vrasjet e grave janë të paralajmëruara”, kolektivi “Marshojmë s’festojmë” nisi protestën nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës në kërkim të respektimit të të drejtave të grave në Kosovë. 

Më pas, protestuesit marshuan nga Pallati i Drejtësisë drejtë sheshit “Zahir Pajaziti” ndërsa prej aty drejt Prokurorisë Speciale në Prishtinë dhe Stacionit të Policisë ku përplasën tenxheret dhe tiganët duke thirrur “Policia i ka duart me gjak” dhe “Poshtë policia patriarkale”, duke u ndalur së fundmi para Qeverisë së Kosovës.

SHARE