Në 70 qytetet e Greqisë mijëra qytetarë, sindikalistë, studentë e qytetarë duke mbajtur pankarta në duar kanë përshkallëzuar protestat e tyre me një valë grevash në sektorë të ndryshëm të vendit dhe tubime për aksidentin e trenit në Tempi, me kërkesë kryesore sigurinë e transportit të qytetarëve.
Duke mbajtur pankarta në duar ku shkruhej “Fitimet e tyre, vdekja jonë” , apo fitimet e tyre mbajnë gjakun e viktimave , kanë filluar marshimin në rrugët e kryeqytetit duke hedhur edhe parulla duke kërkuar që t’i ngarkohen përgjegjësitë reale kujtdo, sado post të lartë të ketë, për krimin e Tempit, siç e karakterizojnë aksidentin hekurudhor të javës së kaluar me 57 viktima, shumica të rinj.
“Do të jemi këtu derisa gjërat të ndryshojnë dhe derisa të shohim një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë. Sepse ne jemi të rinjtë e këtij vendi dhe nuk do të ndalemi’, tha student Vaggelis Somarakis.
Në fillim protestuesit kanë mbajtur një minutë zi dhe më pas kanë lexuar vargjet e poetit të shquar Janis Ricos «Kurrë nuk largohen fëmijët e vdekur nga shtëpitë e tyre».
“Po, ndjehesh e zemëruar sepse qeveria nuk bëri asgjë për të gjithë ata të rinj. Transporti publik është një rrëmujë, në thelb. Dhe po, tani të gjithë këta njerëz janë këtu pik[risht për këtë gjë, kështu që tani diçka duhet bërë”, tha Nikomathi Vathi.
Lumenj protestuesish edhe në Selanik, por edhe në qytetet e tjera të vendit ku asnjëherë tjetër qytetarët nuk kishin një pjesëmarrje kaq të madhe as në tubimet masive të viteve të para të krizës së borxhit.
Me valën e zemërimit popullor të kulmojë çdo ditë e më shumë për tragjedinë më të madhe hekurudhore në vend gjithkush kërkon të zbardhen shkaqet e përplasjes se dy trenave dhe të dalin në pah mangësitë serioze të sigurisë në linjat hekurudhore.
Hetimet kanë filluar me ritme të shpejta , ndërsa vazhdojnë edhe shigjetimet politike mes qeverisë dhe opozitës në lidhje me mënyrën e menaxhimit të operatorit shtetëror të hekurudhave në vitet e kaluara ,por edhe gjatë katërvjeçarit të fundit.