Fileto Pule me Uthull Molle dhe Erëza

Një recetë e thjeshtë, e lehtë për t’u përgatitur por me një shije të mrekullueshme.

Ideale për t’u përgatitur në çdo kohë dhe për t’u kombinuar me çdo gatim duke i shtuar shijen çdo recete.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë hapat e thjeshtë që duhet të ndiqni për të provuar vetë në shtëpi këtë recetë me shije fantastike.

Përgatitja e Filetove të Pulës me Uthull  

Përbërësit

4-5 Fileto Pule (ose pjesa e gjoksit të pulës e ndarë në fileto)

3-4 lugë gjelle Uthull Molle

Erëza (Mund të përdorni erëzat që preferoni më shumë, rozmarinë, piper të zi ose të kuq, rigon ose edhe majdanoz)

Kripë

2 lugë gjelle Vaj Ulliri

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon që të shtoni në një tas të madh uthullën e mollës, vajin e ullirit, kripën dhe erëzat që preferoni.

Përziejeni mirë që të gjitha bashkë.

Lyeni një e nga një, filetot e pulës dhe në fund vendosini të gjitha në tasin me masën e marinimit që keni përgatitur dhe lërini të marinohen për 2-3 orë.

Më pas, merrni një tavë, shtroni aty letër pjekjeje.

Vendosni me rradhë filetot, spërkatini me vaj ulliri dhe pak kripë dhe futini të piqen në furrë të parangrohur në 170 gradë.

Gjatë kohës që piqen kontrollojini herë pas here duke i kthyer nga të dyja anët.

Piqen përreth 15 apo 20 minuta derisa filetot të zbuten plotësisht dhe të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

Serviren të ngrohta.

Kjo recetë e thjeshtë por e mrekullueshme në shije shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura furre, patate furre, supa të ndryshme, por edhe fërgesa, salca, apo edhe djathra të ndryshëm.

Gjithashtu kjo recetë mund të shoqërohet edhe me turshi të ndryshme të përgatitura në shtëpi.

Nëse preferoni gjatë përgatitjes filetot mund t’i piqni edhe me perime të tjera, të cilat në varësi të llojit që do përzgjidhni mund të kaurdisni pak më parë se t’i piqni në furrë. /AgroWeb.org

SHARE