TURQIA GODITET SËRISH NGA TËRMETI, SHEMBEN DISA NDËRTESA TË DËMTUARA

Një tërmet 5.6 shkallë i Rihterit e ka goditur të hënën Turqinë, duke lënë një person të vdekur dhe 69 të lënduar. Disa ndërtesa janë rrëzuar nga tërmetet paraprake. Tri javë më parë, Turqia dhe Siria janë goditur nga dy tërmete mbi 7 shkallë të Rihterit, të cilat kanë lënë mbi 50 mijë njerëz të vdekur dhe qindra mijëra ndërtesa të shkatërruara. Tërmeti i 27 shkurtit e ka pasur epiqendër qytezën Jesiljurt në provincën Mallatja, ka thënë Agjencia shtetërore për Menaxhim të Katastrofave. Kryetari i qytezës, Jesiljurt, Mehmet Cinar, u ka thënë mediave turke se një numër ndërtesash janë rrëzuar, përfshirë një ndërtesë katërkatëshe, ku kanë mbetur të bllokuar një baba me vajzën e tij. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar punën për të gjetur njerëzit që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Mallatja është në mesin e 11 provincave turke që janë goditur nga tërmetet e 6 shkurtit. Agjencia turke për Menaxhim të Katastrofave ka thënë se pas tërmeteve mbi 7 shkallë, rajoni jugor turk është përballur me mbi 10.000 pasgoditje.

SHARE