TAKIMI I G20-ës PËRFUNDON PA KONSENSUS PËR LUFTËN NË UKRAINË

Një takim i shefave të financave të Grupit të 20 vendeve më të industrializuara (G20) ka përfunduar të shtunën pa konsensus, pasi Rusia dhe Kina kanë refuzuar përshkrimin për luftën në Ukrainë në dokumentin final.

Pas takimit të organizuar nga India është lëshuar një përmbledhje në të cilën është përmendur se nuk ka marrëveshje për definimin e luftës në Ukrainë.

Dita e parë e takimit është mbajtur më 24 shkurt, kur është shënuar përvjetori i parë i pushtimit rus në Ukrainë.

Grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7) ka miratuar sanksione të reja kundër Rusisë të premten, teksa bisedimet e G20-ës janë përmbyllur në konfuzion.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e ka dënuar “luftën ilegale kundër Ukrainës”, në një sesion ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarët rusë dhe i ka bërë thirrje G20-ës që të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën.

Në takimin e fundit të G20-ës të mbajtur në Bali të Indonezisë, liderët e kanë dënuar ashpër luftën dhe kanë paralajmëruar se konflikti është duke e rritur brishtësinë në ekonominë botërore.

Në këtë grup bën pjesë Rusia, por edhe shtetet si Kina dhe India, të cilat kanë marrëveshje të rëndësishme tregtare me Moskën.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

SHARE