QEVERIA E MALIT TË ZI ZGJATI PROGRAMIN E PËRKOHSHËM TË MBROJTJES TË QYTETARËVE UKRAINAS

Qeveria e Malit të Zi ka zgjatur programin e përkohshëm të mbrojtjes për qytetarët ukrainas që banojnë në Mal të Zi, tha ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka.

Ai e tha këtë gjatë një vizite në objektin e akomodimit ku refugjatët nga Ukraina qëndrojnë në Sutomore.

“Njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithëve është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”, u tha ministri Gjeka refugjatëve nga komuniteti ukrainas në Mal të Zi.

Siç është bërë e ditur nga ai dikaster qeveritar, ministri Gjeka theksoi se epoka moderne sjell me vete shtim të dukurive negative sociale, nga të cilat, siç tha ai, më të vështirat janë ato që ndikojnë drejtpërdrejt në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Ne po jetojmë në një kohë sfidash të mëdha kur bëhet fjalë për realizimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër diskriminimit, ruajtjen e dinjitetit të përgjithshëm njerëzor dhe integritetit personal”, tha Gjeka, duke shtuar se lufta kundër Ukrainës është një luftë kundër njerëzimit dhe dinjitetit.

SHARE