ABAZOVIQ: SHTETËSIA EKONOMIKE NUK ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME INTERESAT E MALIT TË ZI

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se shtetësia ekonomike është një program që nuk bie ndesh me interesat e Malit të Zi dhe shtoi se e kupton frikën e Komisionit Evropian në këtë drejtim.

Abazoviq nuk i konfirmoi, por as nuk i mohoi pretendimet e disa mediave se Qeveria në mandatin e saj teknik planifikon t’i ofrojë Brukselit një model të ri të zgjerimit të programit të shtetësisë ekonomike, sipas të cilit paratë nga projekti do të drejtoheshin ekskluzivisht për shlyerjen e kredisë kineze për autostradën.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Abazoviq rikujtoi se programi i shtetësisë ekonomike ka përfunduar zyrtarisht më 31 dhjetor 2022 dhe se kërkesat e pranuara pas kësaj nuk do të merren parasysh.

Kur bëhet fjalë për kredinë, ai rikujton se është detyrim i shtetit ndaj bankës kineze dhe se shteti duhet të gjejë modelin më të mirë për shlyerjen e borxhit, sepse paratë e taksës nuk mjaftojnë.

Ai po ashtu thotë se tani për tani kredinë po e shlyejnë pa problem.

“Duke qenë se është një shumë e madhe parash, duhet të shohim se cila është mënyra më e mirë për ta financuar. Kaq mund të them”, tha kryeministri dhe shtoi se çështja e shtetësisë ekonomike nuk duhet të përditësohet.

“Shtetësia ekonomike është një program që nuk bie ndesh me interesat e Malit të Zi. Unë i kuptoj pikëpamjet dhe frikën e KE-së, është e pranueshme dhe duhet të respektojmë rregullat, sepse duam të jemi pjesë e familjes së BE-së… Duhet të shohim nëse në të ardhmen ka ndonjë formë që është të pranueshme për ta. Nëse nuk ekziston, sigurisht që nuk do të insistojmë, nëse ka një model që është edhe i pranueshëm për ta, atëherë ka hapësirë për të folur”, tha Abazoviq.

Abazoviq i quan të ashpra pretendimet e Moldavisë

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se nuk ka informacion se individë nga Mali i Zi po planifikojnë të destabilizojnë Moldavinë për nevojat e Rusisë.

“Ne do të përpiqemi të kontaktojmë me kabinetin e kryeministres së Moldavisë për sqarime shtesë. Nëse është e nevojshme, shërbimet tona të sigurisë do të kryejnë kontrolle shtesë. Nëse ata kanë ndonjë informacion më shumë, ne jemi të gatshëm ta dëgjojmë atë”, tha Abazoviq.

Ai tha gjithashtu se deklarata të tilla nuk duhet të ndërlidhen me politikat e Qeverisë dhe shtetit, por nëse personat e tillë ekzistojnë, bëhet fjalë për individë të papërgjegjshëm.

“Më duket pak e ashpër ajo që kam dëgjuar sepse krijohet përshtypja se Mali i Zi po merr pjesë në problemet që ekzistojnë në Moldavi. Mali i Zi ka mjaft probleme të veta, por ne jemi këtu nëse mund t’i ndihmojmë”, tha Abazoviq.

Abazoviq kujtoi se Mali i Zi është tërësisht në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, si dhe ka ndihmuar Ukrainën dhe refugjatët ukrainas.

SHARE