Zelanda e Re shpalli një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare për të tretën herë në historinë e saj, pasi cikloni “Gabrielle” shkaktoi përmbytje të përhapura, rrëshqitje dheu, duke detyruar njerëzit të evakuoheshin.
Fluturimet u anuluan, ndërsa qindra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike ndërsa dhjetëra supermarket, shkolla dhe biznese të tjera u mbyllën.
Sipas autoriteteve “Ciklon Gabrielle” është më i rëndi përgjatë dekadës së fundit që ka përfshirë Zelandën e Re dhe dëmet janë katastrofike. Mediat raportuan se një person ishte zhdukur pasi shtëpia e tij u përmbyt në Gjirin e Hawke’s.
Meterologët kanë deklaruar se stuhia është zhvendosur në juglindje të Auckland, pranë bregut lindor.
Autoritetet kanë evakuuar vendbanimet e plazheve dhe po u bëjnë thirrje akoma më shumë njerëzve të largohen nga shtëpitë pasi lumenjtë kanë arritur nivelet e tyre maksimale dhe rrezikojnë të dalin nga shtrati.
“Ka qenë një natë shumë e vështirë për Zelandezët e Re në të gjithë vendin, por veçanërisht në ishullin e sipërm të Veriut. Gjithashtu ka edhe shumë familje të zhvendosura, shumë shtëpi nën ujë dhe dëme të mëdha të shkaktuara në të gjithë vendin. Njerëzit do të jenë të vetëdijshëm se është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme kombëtare dhe kjo do të thotë se ata duhet të pranojnë urdhrat tanë.”
Rrugët janë të mbyllura, shërbimet e telefonisë celulare janë ndërprerë. Banorëve në zonat e goditura fort u kërkohet të kursejnë ujin dhe ushqimin për shkak të frikës nga mungesat.
Një luftanije e Zelandës së Re shpëtoi një person nga një jaht i cili rrezikoj të mbytej.
Pamjet me dron treguan se përmbytjet kanë goditur komunitetin në Gjirin e Hawke’s në veri të Zelandës së Re dhe një rrëshqitje dheu në Matata.
Zelanda e Re shpalli emergjenca kombëtare pas një tërmeti në 2011 dhe kur pandemia COVID-19 goditi në 2020.