KËSHILLI KOMBËTAR PËR LUFTËN KUNDËR MAFIES PYJORE

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq për të hënën ka thirrur seancën e Këshillit Kombëtar për Luftën kundër Korrupsionit, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe për shfrytëzimin e paligjshëm të pyjeve dhe veprimet e prokurorisë në ato raste.

Tema kryesore e seancës, siç u tha, do të jetë mafia e pyjeve.

Dhjetë ditë më parë Abazoviq tha se pas shfrytëzimit të paligjshëm të zhavorrit, shteti po fillon luftën kundër mafies pyjore.

Ai këtë e tha në një takim lidhur me shfrytëzimin e paligjshëm të pyjeve. Më pas u ra dakord që Qeveria të shqyrtojë masat për përmirësimin e kuadrit ligjor që trajton fushën e menaxhimit dhe mbrojtjes së pyjeve me qëllim zgjidhjen sistematike të problemit të shfrytëzimit të paligjshëm të pyjeve në Mal të Zi.

Qeveria ka kohë që po shqyrton idenë e krijimit të një ndërmarrje shtetërore që do të menaxhojë pyjet.

Në atë takim u tha se në prokurori janë paraqitur rreth 90 kallëzime penale për shfrytëzimin e paligjshëm të pyjeve, por që ato raste nuk kanë pasur epilog përfundimtar.

Një pjesë e opinionit pretendon prej kohësh se në Mal të Zi ekziston një mafi pyjore, e krijuar nga abuzimi me menaxhimin me koncesion të pyjeve.

SHARE