MBI 24.600 TË VDEKUR NGA TËRMETET E FUQISHME NË TURQI

Nënpresidenti turk Fuat Oktay tha se të paktën 24.617 njerëz kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që tronditën Türkiye-n jugore në fillim të kësaj jave, raporton Anadolu.

Në një prononcim, Oktay tha se 32.071 ekipe të kërkim-shpëtimit vazhdojnë të punojnë.

Ai shtoi se në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet në juglindje, nga prokuroritë janë krijuar Departamente të Hetimit të Krimeve të Tërmetit, me udhëzim të Ministrisë së Drejtësisë.

Ai vuri në dukje se është përcaktuar përgjegjësia e 131 të dyshuarve në ndërtesa të shembura nga tërmetet, prej të cilëve një është arrestuar dhe urdhra arresti janë lëshuar për 113 të tjerë.

Më herët, Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se 80.278 njerëz janë lënduar nga tërmetet.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, u ndien të hënën nga 13 milionë njerëz në dhjetë provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

SHARE