Pavlova është një tortë elegante, baza e së cilës është marenga, ndërsa mbushja bëhet me krem dhe fruta të freskëta e shumëngjyrëshe!
Australia dhe Zelanda e Re kanë pretenduar gjithmonë se kjo recetë ka origjinën e tyre, por emri i saj në fakt i kushtohet një balerine të famshme ruse, Anna Pavlova, e cila i vizitoi të dy vendet në vitet 1920 dhe pati sukses të madh.
Provoni veten duke përgatitur këtë ëmbëlsirë në bazë të këshillave të AgroWeb.org
Përbërësit
Për marengën ju nevojiten:
3 të bardha vezësh në temperature dhome
200g sheqer
20g niseshte misri
10g lëng limoni
Ekstrakt vanilje për shije
Për kremin:
200g pana
20g sheqer pluhur
Për mbushjen:
1 kivi
Luleshtrydhe
Fruta pylli
Rrush pa fara
Nenexhik
Sheqer pluhur
Përgatitja
Për të përgatitur këtë recetë, së pari ngrohni furrën në në 130 °, pastaj ndani të verdhat e vezëve nga të bardhat.
Të bardhat e vezëve shtojini në mikser dhe përpunojini me shpejtësi mesatare deri në të lartë.
Prisni që të bardhat e vezëve të bëhen si shkumë dhe filloni të shtoni sheqer, pak e nga pak.
Pasi të jetë shpërbërë i gjithë sheqeri, marenga do të jetë e trashë dhe kremoze. Në këtë moment shtoni lëngun e limonit, ekstraktin e vaniljes dhe prisni që të absorbohet.
Në këtë mënyrë përbërja do të jetë e fortë dhe e qëndrueshme. Në fund fikni mikserin dhe shtoni niseshten e misrit.
Përzieni butësisht me një lugë nga poshtë lart dhe më pas transferojeni në një tavë të veshur me letër pjekjeje.
Me ndihmën e një spatule, rrafshoni pjesën e sipërme dhe anëve jepini formë rrumbullake.
Gërmoni pak qendrën për të krijuar një gropë, e cila do të shërbejë për mbushjen me fruta.
Piqeni marengën në furrën e parangrohur për 10 minuta dhe më pas ulni temperaturën në 100 °C duke vazhduar pjekjen edhe 50 minuta të tjera. Gjatë kësaj kohe dera e furrës nuk duhet të hapet!
Pasi pjekja të përfundojë, lëreni të ftohet për të paktën 2 orë, gjithmonë me derën e mbyllur.
Ndërkohë kujdesuni për frutat duke i prerë në copëza.
Në një tas rrihni panën dhe sheqerin pluhur derisa të përftoni një masë kremoze dhe të qëndrueshme.
Mbushni me të pjesën e sipërme të marengës dhe shtoni sipër frutat, nenexhikun sipas dëshirës, e në fund spërkateni me sheqer pluhur.
Pavlova juaj e mrekullueshme është gati për t’u shërbyer!
Këshillohet që ta konsumoni këtë ëmbëlsirë menjëherë. Marenga është shumë e ndjeshme ndaj lagështirës, kështu që nuk është e mundur ta ruani në frigorifer.
Ju mund ta zbukuroni pavlovën me frutat e stinës sipas dëshirës tuaj!
Shtimi i niseshtës së misrit i jep marengës cilësinë e veçantë që e karakterizon./AgroWeb.org