MBI 19.300 VIKTIMA NGA TËRMETET NË TURQI DHE SIRI

Mbi 19.300 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri, teksa shpresat për të nxjerrë të mbijetuar nga gërmadhat e ndërtesave të rrënuara po zbehen për çdo orë që kalon. Në Turqi, më shumë se 16.170 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 60.000 janë plagosur, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive. Në Siri janë raportuar më shumë se 3.200 viktima. Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga tërmetet. Përpjekjet për shpëtim janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre. Ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtare në 72 orët e para. Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, thanë ata.

SHARE