ZELENSKY NË BRUKSEL KËRKON MË SHUMË ARMË PËR T’U MBROJUR NGA RUSIA ‘ANTI-EVROPIANE’

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Bruksel për të vazhduar lobimin për armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”. Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, presidenti ukrainas falënderoi BE-në për ndihmën që blloku ka dhënë që kur Rusia filloi fushatën agresive të pushtimit të vendit të tij. “Faleminderit”, tha Zelensky teksa ligjvënësit e BE-së duartrokitën gjatë. “Ne po mbrohemi në fushëbetejë, ne ukrainasit, së bashku me ju … kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”, tha ai. Javëve të fundit, Ukraina ka marrë premtime nga vendet perëndimore se do t’i sigurojnë tanke luftarake, por ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë. Zelensky pritet gjithashtu të adresojë nevojën për fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë samitit. “Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, një Ukrainë fitimtare”, tha Zelensky në Parlamentin Evropian. Kryetarja e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola, teksa iu drejtua Zelenskyt, tha se “ju duhet të fitoni dhe tani vendet anëtare të BE-së duhet të konsiderojnë hapin e ardhshëm të shpejtë, sigurimin e sistemeve me rreze të gjata dhe avionëve që ju nevojiten për të mbrojtur lirinë tuaj”.

SHARE