SHQIPTARËT PA VIZA DREJT KINËS DHE EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE

Tashmë qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza drejt Republikës Popullore të Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Lajmin e ka bërë të ditur, në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së qeverisë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ajo tha se, “sot në mbledhjen e qeverisë kemi kaluar dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat shtojnë akoma më tej numri e shtetasve shqiptarë që mund të udhëtojnë pa viza. Posaçërisht kemi lidhur marrëveshje me qeverinë e Republikës Popullore të Kinës dhe me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe”. Xhaçka u shpreh se, “të dyja këto marrëveshje do të krijojnë lehtësi të shtuara për gjithë ata qytetarë shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt këtyre vendeve qoftë për punë, biznes apo turizëm. Nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve shtetasit shqiptarë nuk do të kenë më nevojë për viza hyrëse. Ju kujtoj dhe njëherë që bëhet fjalë për dy vende që kemi marrëdhënie të qenësishme ekonomike dhe ky shkëmbim pa viza do të sjellë vetëm të mira”. “Paralelisht ne jemi duke punuar me shumë seriozitet për ta fuqizuar sa më shumë pasaportën shqiptar, për ta zgjeruar sa më shumë hapësirën ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin pa viza. Është një proces që kërkon kohë dhe kujdes por që ka filluar të japë rezultate konkrete”, theksoi ministrja.

SHARE