Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike Shqiptare, përmes kumtesave të veta dënuan heqjen e flamurit shqiptar në shtëpinë familjare të Emin Beqoviq nga fshati Milesh.
“Incidente të tilla dhe të ngjashme si këto të kthejnë në të kaluarën dhe janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe evropiane që kërkon shoqëria jonë”, thuhet në kumtesë të UDSH-së.
Nga UDSH, sqarojnë se personi zyrtar kërkoi që të hiqet flamuri shqiptar, pasiqë dikush, raportoi se flamuri është i vendosur në atë shtëpi, por nga kjo parti, theksojnë me bindje të plotë se një qasje e tillë është në kundërshtim me zgjidhjet ekzistuese dhe ligjore që rregullojnë këto çështje.
“Lusim institucionet shtetërore që të merren me çështjet e të drejtave të pakicave, gjegjësisht theksimin e simboleve kombëtare, si pjesë e kulturës, në këtë rast shqiptarëve dhe kështu në mënyrë definitive ta rregullojnë këtë çështje”, kumtuan nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve nga Tuzi.
Kurse në kumtesë të LDSH-së, thuhet se Lidhja Demokratike Shqiptare, shpreh indinjatën më të thellë me rastin e heqjes dhe marrjes së flamurit shqiptar, nga shtëpia e Emin Beqoviq, në Milesh.
Po ashtu ky subjekt politik dënon aktin e gjykatës e cila merr në pyetje dhe kërcënon penalisht z. Beqoviq.
“LDSH i bën thirrje pushtetit, por edhe partive shqiptare të cilat janë pjesë e Qeverisë, që të parandalojnë këto provokime dhe dënime që po bëhen në dëm të shqiptarëve autokton. Flamuri shqiptar nuk u ka penguar në kolonat dhe tubimet përkrahëse të referendumit për pavarësim të shtetit, kurse sot u pengon mbi kulmet e qytetarëve lojal”, kumtuan nga LDSH-ja.