KURTI: E PRANOJMË PROPOZIMIN EVROPIAN PËR NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE ME SERBINË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi në Prishtinë, me të cilin, siç tha, shkëmbyen mendime e propozime për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. “Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai. Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar për një marrëveshje me Serbinë por sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi që duhet edhe gatishmëria e palës tjetër. “Por ajo që mund të them është se konceptet demokratike të këtij propozimi dhe orientimi evropian neve na mban fuqishëm me shpresë”, tha ai.

Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se kishte “një bisedë të hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun. Kur them të hapur, atë vërtetë e mendoj. Më kuptuat të gjithë”, shkroi ai por pa dhënë hollësi të tjera.

I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i lumtur që Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve. Pas vizitës në Serbi, Lajçak ka thënë në Twitter se do të ketë takime të nivelit të lartë në Bruksel. “Udhëtova për në Prishtinë të takoj kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin dhe në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiç e Petar Petkoviq. I lumtur që Kosova ka pranuar në parim Propozimin e BE-së. Do të vazhdojmë diskutimet në nivel të lartë”– shkruan Lajçak.

SHARE