Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtësisht me Shqipërinë dhe kanë ofruar ndihmë prej 50 milionë dollarë për sulmin kibernetik të Iranit. Kështu u shpreh ambasadorja amerikane Yuri Kim në Konferencën për sfidat kibernetike, ndërsa shtoi se mbështetja e Amerikës në këtë drejtim nuk ndalet këtu. “Është e qartë që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria duhet të identifikojnë mbrojtjen tonë kundër sulmeve kibernetike. Duke punuar së bashku me Dr Tafën SHBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet më të mëdha të ndihmës kibernetike që arrin në 50 mln dollar në mbështetje të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi. SHBA nuk do të hezitojnë ti përgjigjen me forcë aktorëve keqdashës kibernetike kur veprimet e tyre kërcënojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët, miqtë dhe partnerët tanë. Ju nuk jeni vetëm në të qenit të synuar për sulm kibernetik dhe sigurisht nuk jeni të vetëm në këtë përgjigje. Shtetet e Bashkuara janë me ju,” tha Yuri Kim, ambasadorja e SHBA. E pranishme në konferencë ishte edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila ndërsa u ndal te plani i masave të qeverisë kundër sulmeve kibernetike që vijon ende, shtoi se bashkëpunimi me partenrët ndërkombëtarë është domosdoshmëri për të përballuar këtë sfidë të vështirë. “Sulmet agresive ndaj shërbimeve online përbëjnë një kërcënim real që ka nisur prej muajsh dhe vazhdojnë edhe në këto moment që ne flasim. Kemi hartuar një plan strategjik me masa konkrete duke përfshirë një buxhet të dedikuar. Në këtë linjë ne jemi duke u fokusuar te alokimi i buxheteve në ngritjen e sistemeve dhe mbrojtjen e tyre dhe sigurisht edhe ngritjen e burimeve njerëzore që duhet të jemi të sinqertë që në Shqipëri sa I përket mbrojtjes kibernetike nuk janë të shumta.” Mbështetja në luftën ndaj sulmeve kibernetike nuk mungoi as nga Bashkimi Europian ku ambasadorja Christiane Hohmann deklaroi se ndihma e BE për dixhitalizimin në Shqipëri për vitet e ardhshme do të kapë vlerën e 15 milionë eurove.