Mishngrënësit apo vegjetarianët, cilët jetojnë më gjatë?

Aftësia jonë për të jetuar një jetë të gjatë, është e ndikuar nga një kombinim i gjeneve tona dhe mjedisit përreth. Në studimet që përfshijnë binjakët identikë, shkencëtarët kanë vlerësuar se jo më shumë se 30 për qind e këtij ndikimi vjen nga gjenet tona, çka do të thotë se grupi më i madh i faktorëve që kontrollon jetëgjatësinë e një personi, gjendet në mjedisin rreth tyre.

Nga shumë faktorë të mundshëm mjedisorë, pak janë studiuar apo debatuar aq thellë sa dieta jonë ushqimore. Për shembull, kufizimi i kalorive, është një nga fushat që është duke u shqyrtuar më imtësisht. Deri më tani, studimet duket se tregojnë se kufizimi i kalorive mund të rrisë jetëgjatësinë, të paktën tek gjallesat e vogla. Por, ajo që funksionon tek minjtë, jo domosdoshmërisht funksionon edhe për njerëzit.

Ajo që ne hamë – në krahasim me sasinë që hamë – është gjithashtu një temë e nxehtë për të studiuar, dhe konsumi i mishit është vënë shpesh nën mikroskop. Një studim që përfshiu pothuajse 100.000 amerikanë për 5 vjet, zbuloi se vegjetarianët kishin më pak të ngjarë të vdisnin – nga çfarëdolloj shkaku – gjatë periudhës së studimit se sa ngrënësit e mishit. Ky efekt qe veçanërisht i dukshëm tek meshkujt.

Disa meta-analiza, të cilat kombinojnë dhe ri-analizojnë të dhënat nga studime të ndryshme, kanë treguar se një dietë e varfër në mish, është e lidhur me jetëgjatësinë më të madhe. dhe sa më gjatë që një person të ndjekë një dietë ushqimore pa mish, aq më i madh përfitimi. Megjithatë, jo të gjitha studimet bien dakord me këtë përfundim. Disa prej tyre, tregojnë shumë pak ose aspak ndryshim në jetëgjatësinë ndërmjet mishngrënësve dhe vegjetarianëve.

E qartë është dëshmia se dietat pa mish, mund të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të problemeve shëndetësore si diabeti i Tipit 2, tensioni i lartë dhe madje edhe kanceri. Ekzistojnë disa prova që sugjerojnë se dieta vegane, ofron më gjatë një mbrojtje shtesë mbi një dietë standarde vegjetariane. Këto gjetje janë shumë më të lehta për t’u interpretuar, teksa raportojnë ngjarjen e vërtetë të diagnostikimit me një problem shëndetësor, sesa vdekjen nga çfarëdolloj shkaku. Pra, mund të themi me besim se shmangia e konsumit të mishit do të rrisë jetëgjatësinë tuaj? Përgjigja e thjeshtë është:ende jo.

Problemi me jetëgjatësinë

Gjëja e parë e qartë, është se në krahasim me shumicën e krijesave të tjera, njerëzit jetojnë për një kohë shumë të gjatë. Kjo e bën shumë të vështirë për të ndërmarrë studime, të cilat të vlerësojnë efektin e çdo gjëje mbi jetëgjatësinë (do ta kishit të vështirë të gjenit një shkencëtar të gatshëm për të pritur plot 90 vjet për një studim të plotë).

Në vend të kësaj, shkencëtarët kthehen pas në kohë duke shqyrtuar të dhënat ekzistuese të shëndetit, ose rekrutojnë vullnetarë për studime që kërkojnë periudha më të shkurtra kohore, duke matur normat e vdekshmërisë dhe shohin se cili grup mesatarisht ka më tepër gjasa të vdesë i pari. Nga këto të dhëna, janë nxjerrë pretendimet mbi efektin që disa aktivitete kanë tek  jetëgjatësia, duke përfshirë shmangien e mishit.

Me këtë qasje ekzistojnë disa probleme. Së pari, gjetja e një lidhjeje midis dy gjërave – të tilla si ngrënia e mishit me një vdekje të hershme – nuk do të thotë domosdoshmërisht se një gjë shkakton një tjetër. Me fjalë të tjera:lidhja nuk barazohet me shkakësinë jo të barabartë. Mund të duket se vegjetarianizmi dhe jetëgjatësia janë të lidhura me njëra-tjetrën, por një variabël tjetër mund të shpjegojë këtë lidhje.

Mund të jetë që vegjetarianët për shembull stërviten më shumë, pijnë më pak duhan dhe alkool se sa homologët e tyre mishngërnës. Ndoshta ata ushtrohen më shumë fizikisht se mishngrënësit. Studimet mbi të ushqyerit, mbështeten tek vullnetarët që regjistrojnë me saktësi dhe vërtetësi rregjimin e tyre ushqimor. Por kjo s’mund të merret si e mirëqenë. Studimet kanë dëshmuar se njerëzit kanë prirje të raportojnë më pak kalori, dhe të ekzagjerojnë shifrat në rasin e konsumit të ushqimit të shëndetshëm.

Pa kontrolluar dietën e grupeve të njerëzve dhe matur se sa kohë jetojnë a, është e vështirë të kemi besim absolut tek gjetjet e këtyre studimeve. Pra a duhet të shmangim mishin për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme? Çelësi për një plakje të shëndetshme, me siguri qëndron tek kontrolli i mjedisit tonë, duke përfshirë edhe atë që ne hamë.

Nga provat në dispozicion, është e mundur që pasja e një diete pa mish, mund të kontribuojë tek kjo, dhe se shmangia e mishit në dietën tuaj sigurisht që mund të rrisë shanset për të shmangur sëmundjet e rënda teksa plakeni. Por ekzistojnë sigurisht edhe dëshmi që sugjerojnë se kjo mund të funksionojnë realisht së bashku me shmangien e disa rreziqeve të qarta për jetëgjatësinë, duke përfshirë edhe pirjen e duhanit.

SHARE