SHQIPËRIA DHE KOSOVA SOLIDARIZOHEN ME TURQINË PAS TËRMETIT SHKATËRRUES

Kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, Haki Çako ka thënë sot se një ekip prej 38 personash është bërë gati për të shkuar drejt Turqisë që t’i vihet në ndihmë autoriteteve dhe popullit për të vijuar operacionin e kërkim-shpëtimit. Çako u shpreh se situata në Turqi është e rëndë duke shtuar se vazhdojnë kërkime për jetë të shumta që ndodhen nën rrënoja.

“Qeveria shqiptare, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes në kontakt intensive ka shprehur jo vetëm solidaritetin por edhe gatishmërinë për të vënë në dispozicion grupet e kërkim shpëtimit, rreth 26 forca të trajnuar. Brenda ekipeve do të ketë dhe ekipe mjekësore. Shumë shpejt këto forca të koordinuara do të nisen me një avion të posaçëm. Për pak orë besoj që do të nisen drejt destinacioneve përkatëse. 38 persona janë ekip, specialist të kërkim-shpëtimit dhe mjekë dhe infermierë. Bëhemi pjesë e dhimbjes së madhe të popullit turk por edhe me gatishmëri”, tha Çako. 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi tërmetin shkatërrues në Türkiye dhe Siri, duke theksuar se një mision shpëtimi solidariteti do të niset për në Türkiye. Në rrjetet sociale Rama shkruan se është i pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Türkiye-s dhe Sirisë. “Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Türkiye”, shkruan Rama.

Në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan se është thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiye-n dhe Sirinë këtë mëngjes. “Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata”, shkruan Begaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në rrjetet sociale shkruan se janë të pikëlluar nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Türkiye-n juglindore. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Mustafa Şentop”, shkruan Nikolla.

Autoritetet në Kosovë thanë se janë në gatishmëri të lartë dhe në mbështetje e solidaritet me Turqinë, pas tërmetit të fuqishëm që la të vdekur qindra persona. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është e gatshme që të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Turqinë edhe nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës.“Bashkëndiej me të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së”, tha Osmani. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës tha se është duke marrë informata nga Turqia “nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

SHARE