BOTA OFRON NDIHMË PËR TURQINË DHE SIRINË

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete. Qeveria turke ka marrë oferta ndihme nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Bashkimi Evropian dhe 45 vende pas tërmetit shkatërrues që goditi jugun e vendit mëngjesin e sotëm. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarët e aleancës po mobilizojnë mbështetjen për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrues.Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha se Qendra për përgjigje dhe koordinim për emergjenca e BE-së është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që u ndihmon ekipeve të shpëtimit në terren që ta kryejnë punën në mënyrë më efikase. Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë. “Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky. Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India. Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë. Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

SHARE