EUROPA NËN PUSHTETIN E TË FTOHTIT POLAR

E gjithë Europa është përfshirë nga i ftohti polar i shoqëruar me erëra të forta, reshje të dendura bore si dhe temperature shumë të ulëta. Ngricat dhe reshjet e pazakonta të dëborës kanë pushtuar Athinën deri në brigjet e detit Egje. Rrethinat veriore të kryeqytetit grek janë mbuluar nga dëbora ndërsa qarkullimi është ndaluar në disa rrugë kryesore. Shkollat janë mbyllur dhe bashkë me to edhe shumë njësi shërbimi. Disa stacione metroje pranë aeroportit ndërkombëtar u mbyllën gjithashtu. Autoritetet kanë vendosur në dispozicion mbi 70 borëpastruese në ato zona ku ka problematika. Në vend janë shpërndarë sinjale emergjence për të shmangur lëvizjet e panevojshme. Edhe shërbimet portuale në Pire, Lavrios kanë pezulluar shërbimet për shkak të erërave të forta pasi dallgët kanë arritur deri në 9 metra lartësi. Erërat e forta dhe stuhitë e borës shkaktuan ndërprerje të trafikut edhe në Sllovaki ku rrugë dhe autostrada kryesore janë mbyllur për shkak të reshjeve të mëdha të borës. Autoritetet u kërkuan banorëve të qëndrojnë brenda pasi erërat arritën më shumë se 120 km në orë. Probleme ka edhe në Çeki ku janë shënuar aksidente të shumta dhe dhe mbi 15 mijë familje janë pa energji.

SHARE