DELEGACIONI I QEVERISË SË MALIT TË ZI, KRYESUAR NGA KRYEMINISTRI DRITAN ABAZOVIQ VIZITË ZYRTARE NË KOMUNËN E ULQINIT

Sot, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në shoqërinë e gjashtë ministrave të Qeverisë së Malit të Zi zhvilluan vizitë zyrtare në Ulqin.

Delegacioni qeveritar përfshinte zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave Vladimir Jokoviq, ministrin e Brendshëm Filip Axhiq, ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq, ministren e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit Ana Novakoviq-Gjuroviq, ministrin e Shëndetësisë Dragoslav Shqekiq, ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka dhe ministrin e Sportit dhe Rinisë Vasilije Llallosheviq.

Temë kryesore e bisedimeve mes përfaqësuesve të Qeverisë së Malit të Zi dhe komunës së Ulqinit ishin projektet zhvillimore në komunën më jugore të Malit të Zi.

Mbas takimit në komunën e Ulqinit, kryeministri, kryetari i Komunës dhe ministri i Shëndetësisë, së bashku me drejtorin e Institutit për Ndihmë Emergjente Mjekësore, Vuk Nikoviq, kanë vizituar Shtëpinë Shëndetësore, Emergjencën dhe Maternitetin në Ulqin.

“Me një investim prej mbi gjysmë milioni eurosh në bllokun e dytë të Shtëpisë Shëndetësore të Ulqinit, i cili së shpejti do të fillojë të ndërtohet, dhe me investime rreth 100 mijë euro në vitin 2022 dhe rreth 65 mijë euro në Institutin për Ndihmë Emergjente Mjekësore, Qeveria është duke treguar një shqetësim të mirëfilltë për infrastrukturën shëndetësore dhe shëndetin e qytetarëve të komunës më jugore të Malit të Zi,” është bërë e ditur pasi delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri me mandat teknik Dritan Abazoviq ka vizituar këto objekte shëndetësore në Ulqin.

Kryeministri Abazoviq ka përkrahur investime të mëdha të cilat, siç tha ai, nuk e kanë anashkaluar komunën e Ulqinit dhe falënderoi ministrin e Shëndetësisë, Dragoslav Shqekiq, për angazhimin e vazhdueshëm për kushte më të mira për trajtimin e qytetarëve të Ulqinit, por edhe të turistëve që vizitojnë këtë qytet.

Kryeministri dhe ministrat vizituan Skelën e Madhe, një skelë në Qytetin e Vjetër, e cila planifikohet të rinovohet në periudhën e ardhshme. Kryeministri, ministrat dhe menaxhmenti i komunës vizituan vendndodhjen e ish-Hotel Galeb, ku është planifikuar ndërtimi i një hoteli të ri me pesë yje, si dhe Hotel Jadran dhe Hotel Mediteran, të cilët ndodhen në afërsi, si dhe portin e Milenës.  “Projekti për hotelin Galeb është atraktiv dhe do të jetë markë jo vetëm për Ulqinin, por në tërësi,” theksoi Abazoviq. “Jemi shumë afër marrëveshjes për Hotel Jadran. Aty do të ketë një hotel me pesë yje. Për sa i përket Mediteranit, të gjitha vilat do të jenë gati për këtë sezon. Duhet të fillojë ndërtimi i Otrantos së re. Do të jetë shumë bukur. Të tre projektet do të krijojnë 1,000 vende të reja pune. Duam të pastrojmë kanalin e Port Milenës”, tha ai.

SHARE