ZYRTARËT AMERIKANË: ËSHTË KOHA PËR THEMELIMIN E ASOCIACIONIT

Në një tekst autorial nga Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga mediat kosovare, kanë bërë thirrje përsëri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”. “Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në tekstin e tyre. Por zyrtarët amerikanë thonë se ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin. Chollet dhe Escobar thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, ka ardhur koha të tregohet qartë se çfarë është ky Asociacion. “Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”, thuhet në tesktin e tyre autorial. Ata thonë se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Ata kanë deklaruar se “është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik”. “Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë “, thonë ata. “Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantik”, përfundojnë Chollet dhe Escobar.

SHARE