KOSOVË, OPOZITA VENDOS KUSHTE: PROPOZIMIN E PRANOJMË VETËM ME NJOHJE NGA SERBIA

Edhe pse e pranojnë procesin e dialogut me Serbinë, partitë opozitare në Kosovë thonë se nuk e mbështesin propozimin franko-gjerman në rast se ai nuk garanton Kosovës nga ana e Serbisë. Në këtë pikë duket, qëndrimet e opozitës dhe të qeverisë përafrojnë shumë. Propozimi i shumëdiskutuar i BE-së i është dorëzuar Prishtinës dhe Beogradit në fund të verës së vitit të kaluar, megjithatë ende edhe sot, përmbajtja e tij nuk është bërë publike. Mediat që kanë arritur të kenë akses në këtë draft thonë se ai parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Aty ndërkohë duket se nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane. Plani franko-gjerman, ka marrë aktualisht edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deputeti i Partisë demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj është shprehur se ky propozim mund të shërbejë vetëm si bazë për bisedime mbi marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve, por thekson se ai duhet të përmbajë pesë elemente të domosdoshme: ruajtjen e karakterit unitar të vendit, njohjen nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur deri më tani Kosovën, integrimin në strukturat e NATO-s apo në Partneritetin për paqe, marrjen e statusit kandidat për Bashkimin Europian, si dhe njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHARE