Pufka me Sherbet nga Tradita e Ëmbël Shqiptare

Pufkat me sherbet janë një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare, fantastike për të ëmbëlsuar familjen e më të dashurit, por edhe për t’u servirur si gosti ndaj miqve.

Receta e përgatitjes së tyre është trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare, ndërsa sot gjendet në çdo pastçeri të vendit.

Receta për Pufka me sherbet është mjaftë e thjeshtë dhe nuk kërkon shumë mundim por shija delikate e tyre pasi janë përgatitur të përfshin tërësisht me ëmbëlsinë e saj.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e pufkave krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Pufkave në Shtëpi

Përbërësit

  • 4 filxhan kafeje me niseshte
  • 4 kokërr vezë
  • 4 filxhan kafe me qumësht pluhur
  • 1 lugë e vogël kafeje me sobë buke

Për Sherbetin

  • 1/2 -1 kg sheqer
  • 1 litër ujë
  • Disa karafila

Përgatitja

Si fillim rrahim vezët. Më pas, në një tas shtojmë qumështin pluhur, vezën e rrahur dhe niseshtenë.

I përzjejmë mirë derisa masa e brumit të bëhet e njëtrajtshme. Brumi duhet të jetë i hollë.

Shtrojmë një letër pjekjeje në një tavë dhe përmes një luge vendosim masën e brumit si toptha të vegjël një e nga një me rradhë në tavë.

Kujdesemi që sa herë të marrim brumin me lugë, lugën më parë ta fusim në një gotë me ujë në mënyrë që brumi të mos ngjitet pas lugës.

E fusim tavën me pufkat në furrën e parangrohur me 180 gradë. I lëmë të piqen për 15 minuta. Më pas i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen.

Ndërkohë përgatisim sherbetin. Hedhim në një tenxhere, ujin, sheqerin dhe karafilat, nëse dëshironi mund të shtoni edhe pak vanilje.

Pasi sherbeti është gati shtojmë në të pufkat derisa të përthithin sherbetin nga të dyja anët dhe më pas i vendosim në një pjatancë.

Nëse dëshironi sipër mund t’u shtoni arra ose bajame të thërrmuara imët, ose lëkura portokalli apo limoni të grira shumë hollë.

Gjithashtu sipas dëshirës, pufkave mund t’u hidhni sipër edhe pak kanellë në momentin kur i servirni./AgroWeb.org

SHARE