SHBA DHE GJERMANIA TANKE NË UKRAINË, REAGON KREMLINI: PJESËMARRJE E DREJTPËRDREJTË NË KONFLIKT

Vendimi i vendeve perëndimore për të dërguar tanke të rënda ushtarake në Ukrainë, vlerësohet nga Kremlini zyrtar si “pjesëmarrje e drejtpërdrejtë” në konfliktin me Ukrainën. “Në Moskë ne e shohim këtë si një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konflikt, është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, një ditë pas njoftimit të Berlinit dhe Uashingtonit zyrtar, se do të dërgohen tanke luftarake në Ukrainë. “Kryeqytetet në Europë dhe Uashington japin rregullisht deklarata, se furnizimi me llojet e ndryshme të armëve, përfshirë edhe tanket, në asnjë mënyrë nuk është pjesëmarrje në luftime. Ne e shohim këtë tërësisht ndryshe”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimtri Peskov. “Në Moskë kjo kuptohet si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në konflikt, dhe ne shohim që kjo po shtohet.” Qeveria ruse i vlerëson NATO-n dhe SHBA si palë lufte. “SHBA dhe NATO janë pjesëmarrëse në konfliktin e Ukrainës”, tha Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, një institucion me shumë fuqi në Rusi. Sipas Patrushev ata përpiqen të zgjasin këtë konflikt dhe ajo që po ndodh sot në Rusi është pasojë e “një lufte hibride” të perëndimit kundër Rusisë. Menjëherë pas raporteve të para se perëndimi ishte bindur të dërgonte tanke moderne në Ukrainë, në Moskë shpërtheu zemërimi. Madje kishte edhe zëra radikalë, si ata që kërkuan bombardimin e gjermanisë, ndërkohë që vetë Putin ka zgjedhur ta injorojë zhvillimin, në daljen më të fundit publike të tij. Gjatë një vizite në universitetin shtetëror të Moskës ai evitoi komentet mbi tanket ndërkohë që u dha këshilla karriere studentëve dhe iu përgjigj edhe pyetjeve mbi tema të tjera.

SHARE