SERBIA RREZIKON IZOLIMIN NËSE NUK PRANON PLANIN FRANKO-GJERMAN

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nëse Serbia nuk pranon planin franko-gjerman do të përballet me izolim ndërkombëtar, ndalim të investimeve dhe masa të tjera ndëshkuese. Në një fjalim pas një takimi të jashtëzakonshëm me qeverinë serbe, Vuçiq tha se Serbia duhet të marrë pjesë në diskutime për planin franko gjerman pasi përndryshe do të pësojë një humbje të plotë politike dhe ekonomike. “Çfarëdo që thashë, bazuar në fakte, bazuar në dokumentet që paraqita, kuptova se koha e racionalitetit kishte mbaruar. Të dërguarit e BE-së, SHBA-së për çështjet e Ballkanit nuk duan të dëgjojnë askënd, duke përfshirë mua dhe të tjerët. Ata kanë axhendën e tyre. Ata kanë axhendën e tyre që është disfata e Rusisë. Serbia duhet të komunikojë të marrë pjesë në dialog dhe të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane. Jo sepse më pëlqen hipokrizia e tyre për respektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e OKB-së, por sepse pa të, do të ishim të izoluar.” Presidenti serb u shpreh se plani franko gjerman kërkon që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, megjithëse ai shtoi se OKB-ja nuk ishte mes atyre të përcaktuara në plan. Vuçiç ritheksoi se para çdo marrëveshjeje me Prishtinën do të duhet të themelohet bashkësia e komunave serbe në Kosovë. “Meqenëse nuk jemi anëtarë të NATO-s, nuk jemi në gjendje të parandalojmë anëtarësimin e tyre në aleancë. Duhet të theksojmë në këtë kohë se fillimisht duhet të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë. Sa i përket Asociacionit, nuk mund të jetë dhe nuk kualifikohet si organizatë joqeveritare. 22 parimet e saj udhëzuese janë bërë të ditura edhe në Bruksel.”

SHARE