Ka filluar ndërtimi i Qendrës së Shëndetit Publik-Operativ për Situata Emergjente në Podgoricë, e vetmja e këtij lloji në Ballkan. Siç ka paralajmëruar Qeveria, punimet do të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa projekti prej tre milionë eurosh është financuar nga fondet IPA.
“Ky institucion do të jetë pika kryesore e koordinimit, përgatitjes, reagimit dhe rimëkëmbjes nga situatat emergjente që kanë të bëjnë me shëndetin publik”, tha kryeminstri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
“Me hapjen e Klinikës për Shëndet Mendor dhe Klinikës për Sëmundjet Infektive dhe Dermatovenerologjisë, Qendra Operative për Situatat Emergjente, e cila do të jetë njësi funksionale e Institutit të Shëndetit Publik, do të kompletojë vizionin tonë për një angazhim të qartë që pa investime në sistemin shëndetësor nuk ka përparim në një shoqëri”, tha ministri i Shëndetësisë Dragoslav Shqekiq.
Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit të delegacionit të BE-së, Ingve Engström, tha se BE-ja po dhuron 2.5 milionë euro për ndërtimin e Qendrës, për të cilën tashmë janë instaluar strukturat e para, si dhe se janë dhënë 1 milion euro shtesë i parashikoi për funksionimin e Qendrës së Operacioneve Emergjente, në bashkëpunim me partnerë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dr. Igor Galiq theksoi se kjo është e vetmja qendër operative shëndetësore publike për situata emergjente në Ballkan.
Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq theksoi se ndërtimi i kësaj qendre, e para e këtij lloji në rajon, do të jetë një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për sistemin shëndetësor, por edhe për sistemin për situata emergjente. Sipas tij, pandemia e koronavirusit, si dhe sfidat e tjera, imponuan nevojën për një lidhje më të fortë mes institucioneve përkatëse dhe përvoja e kaluar ka treguar se është e nevojshme puna ndërinstitucionale dhe shkëmbimi cilësor i informacionit.