Nën drejtimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë, ku në fokus të saj ishte gjendja e sigurisë kombëtare në vend dhe prioritetet për vitin 2023. Gjatë fjalë së tij të publikuar nga Presidenca e Shqipërisë, presidenti Begaj ka theksuar se viti 2022 ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. “Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet”, ka theksuar Begaj. Ai ka shtuar se gjithashtu gjatë vitit 2022 ka patur cenim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit, që sipas tij kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Presidenti Begaj është shprehur se në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, ndërkohë sipas tij “shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.” “Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë”, tha ai. Begaj ka shtuar se Shqipëria mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe të mbështetur nga SHBA-ja për “arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”. “Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve”, është shprehur ndër të tjera Begaj. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës së Shqipërisë në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore.