Një sulmues ka vrarë 10 persona dhe ka plagosur 10 të tjerë në një klub vallëzimi në Los Anxhelos, pas festimit të Vitit të Ri Hënor. Autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit pas të shtënave masive.
Andrew Meyer nga departamenti policor në Los Anxhelos tha se të plagosurit janë dërguar në spital, duke theksuar se disa janë në gjendje stabile, e disa në gjendje kritike. Ai tha se 10 persona vdiqën në vendngjarje në qytetin Monteri Park.
Meyer tha se qytetarët u larguan nga vendi i ngjarjes duke bërtitur, pasi policia arriti në orën 22:30.
Festimet për Vitin e Ri Hënor mbledhin mijëra vetë.
Monteri Park gjendet 13 kilometra në lindje të Los Anxhelos. Ky qytet ka afër 60.000 banorë dhe është shtëpi e një komuniteti të madh aziatik.
Një dëshmitar i ka thënë Los Angeles Times se tre persona hyn në restorantin e tij dhe i thanë të mbyllte dyert pasi në atë zonë ishte një person me armë automatike.
Festivali vjetor për Vitin e Ri Hënor zgjat një javë dhe më herët ka mbledhur mbi 100.000 vizitorë.
Këto ishin të shtënat e pesta masive në SHBA gjatë këtij muaji, thuhet në të dhënat e databazës së Associated Press dhe USA Today, sa i përket vrasjeve masive në Shtetet e Bashkuara.