BORRELL DHE BLINKEN FLASIN PËR BALLKANIN / “JEMI BASHKË DHE MË TË FORTË SE KURRË”

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, ka biseduar në telefon me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryediplomati evropian, në një postim në rrjetet sociale. Borrell tha se bashkë me sekretarin amerikan të shtetit, kishin rikonfirmuar vendosmërinë e përbashkët për të vazhduar mbështetjen e plotë për Ukrainën, e cila prej 11 muajsh është angazhuar në luftën kundër pushtimit rus, përfshirë këtu anën ushtarake. Mes të tjerash, por pa dhënë detaje, Borrell nënvizon se temë diskutimi ka qenë edhe Ballkani Perëndimor. “Në telefonatën me sekretarin Blinken riafirmuam vendosmërinë tonë të përbashkët për të vazhduar ofrimin e mbështetjes domethënëse për Ukrainën, duke përfshirë edhe anën ushtarake. Gjithashtu u diskutua për Iranin, Ballkanin Perëndimor dhe Kinën, për koordinimin dhe unitetin transatlantik që është tani më i fortë se kurrë më parë…Dhe ne, jemi të përkushtuar që ta forcojmë akoma më tej këtë koordinim dhe unitet,” shkruan Borrell në Twitter.

SHARE