SHEFI I OKB-së, GUTERRES PARALAJMËRON PËR KRIZAT E SHUMTA GLOBALE

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i ra sot kambanës së alarmit për sfidat madhore me të cilat përballet bota. Zoti Guterres tha në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, se krizat “e ndërlidhura”, përfshirë ndryshimet e klimës dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, kanë shkaktuar “një gjendje për të ardhur keq” në botë, siç u shpreh ai. Sekretari Guterres paraqiti një tablo pesimiste në fjalimin e tij në ditën e dytë të Forumit, duke thënë se ndasitë e thella gjeopolitike dhe shkalla e lartë e mosbesimit, po minojnë përpjekjet për të trajtuar problemet globale. “Shumë pjesë të botës përballen me recesion dhe e gjithë bota përballet me ngadalësim. Po shohim thellimin e pabarazive dhe një krizë të përshpejtuar të kostos së jetesës që prek më së shumti gratë dhe vajzat; ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe një krizë energjie, rritje të çmimeve, rritje të normave të interesit së bashku me inflacionin dhe nivelet e larta të borxhit që godasin vendet më të dobëta”, tha ai. Guterres shton se gjendja bëhet edhe më e mjerueshme nga konflikti, dhuna dhe lufta. “Sidomos pushtimi rus i Ukrainës, jo vetëm për shkak të vuajtjeve të jashtëzakonshme të popullit ukrainas, por për shkak të implikimeve të thella në çmimet globale të ushqimit dhe energjisë, mbi tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit, tek çështjet e sigurisë bërthamore, themelet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai. Duke folur për pandeminë e COVID-19, zoti Guterres paralajmëroi se bota nuk ka nxjerrë mësime prej saj dhe nuk është gati të përballet me pandemi të ardhshme. Ai veçoi ndryshimet e klimës si një “sfidë ekzistenciale”.

SHARE