ZGJEDHJET NË MAL TË ZI JANË TË PASHMANGSHME, TË EMËROHEN GJYQTARËT E GJYKATËS KUSHTETUESE

Zgjedhjet në Mal të Zi janë të pashmangshme, tha eksperti amerikan për Ballkanin, Edward Joseph, dhe tha se është e rëndësishme të emërohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në intervistë për Zërin e Amerikës, tha se viti i kaluar ishte i tmerrshëm për Malin e Zi, i cili kishte dhe ka një shans më të mirë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), nëse del nga kriza politike. Joseph vlerësoi se partitë politike në vend që të përqendroheshin në atë qëllim, kanë shkuar në drejtim të kundërt. Ai tha se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet të bëjnë të ditur jo vetëm për liderët, por edhe për qytetarët se cilat do të jenë pasojat për veten e tyre nga lojërat e papërgjegjshme politike dhe dështimet në vendimmarrje, si emërimi i gjyqtarëve. Ai shtoi se në fund, kjo është mënyra e vetme për të bindur liderët të dorëzohen, të zgjidhin krizën dhe të marrin vendimet e nevojshme kompromisi. Joseph tha se situata aktuale nuk është e qëndrueshme dhe se pret një marrëveshje për zgjedhjet, veçanërisht pas, siç tha ai, përpjekjes së dështuar antikushtetuese për formimin e qeverisë së re.

SHARE