BLLOKOHET SËRISH KANALI I SUEZIT / ANIJA ME MISËR NGA UKRAINA NGEC NË RËRË

Autoriteti i Kanalit të Suezit tha të hënën se një anije mallrash që transportonte misër u bllokua në rrugën ujore por më pas u bë i mundur rikthimi në lundrim dhe hapja e qarkullimit. Kompania që ofron shërbimet në kanal, ‘Leth Agencies’ tha se anija, ‘MV Glory’, u bllokua pranë qytetit të Qantara dhe se tre rimorkiatorë të kanalit u angazhuan për rikthimin e saj në lundrim. Zyrtarët sidoqoftë nuk kishin informacione për të sqaruar se cfarë e shkaktoi ngecjen e anijes në tokë por, fakt është që një pjesë e egjiptit, përfshirë provincat veriore të tij, u përballën me një valë moti ekstrem të dielën. “MV Glory” nuk është anija e parë që bllokohet në këtë kanal të rëndësishëm. Anija “Ever Given”, një anije gjigante me kontejnerë, u bllokua në kanalin e Suezit në mars 2021, duke bllokuar trajektoren e shumëpërdorur ujore për plot gjashtë ditë. “Ever Given” u largua nga kanali pas një operacioni gjigant shpëtimi nga një flotë rimorkiatorësh. Ngecja e kësaj anijeje në rërë, shkaktoi një bllokim masiv trafiku që i kushtoi tregtisë globale 9 miliardë dollarë humbje në ditë, por edhe tensionoi zinxhirët e furnizimit që ishin të ngarkuar edhe më herët për shkak të pandemisë së koronavirusit. Rasti i Ever Given i shtyu autoritetet egjiptiane të fillonin zgjerimin dhe thellimin e pjesës jugore të kanalit, atje ku anija ngeci në rërë. Qendra e Përbashkët Koordinuese bëri të ditur ndërkohë se anija “Glory” ishte transportuese e mbi 65,000 tonësh kub misër nga Ukraina me destinacion Kinën. I hapur në vitin 1869, Kanali i Suezit ofron një lidhje thelbësore për naftën dhe gazin natyror. Në vitin 2015, qeveria e presidentit Abdel-Fattah el-Sissi përfundoi një zgjerim të madh të kanalit, duke e lejuar atë të presë edhe anijet më të mëdha në botë.

SHARE