Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës, ka thënë se partitë shqiptare nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për formimin e kryesisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar, pas një muaji e gjysmë diskutimesh që nga zgjedhjet e 13 nëntorit. Në një shkrim në Facebook, Kamberi ka thënë se nuk është arritur pajtimi dhe që nëntë ditë para skadimit të afatit ligjor, partia e tij ka vendosur që t’ua mundësojë partive tjera të formojnë koalicione të mundshme edhe pa PVD-në. Sipas Kamberit, partitë tjera kanë refuzuar ta njohin parimin e fituesit të zgjedhjeve dhe nuk është krijuar shumica e re. Ka akuzuar Lëvizjen e Progresit Demokratik që kërkon postin e kryetarit. Tutje Kamberi ka publikuar vendimet e partisë së tij duke thënë se PVD-ja “duke mos dashur që të mbajë peng procesin e krijimit të shumicës së re në KKSH fton partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, që në kuadër të afatit ligjor, të bëjnë përpjekje për formimin e një koalicioni të mundshëm edhe atë pa fituesin e zgjedhjeve, do të thotë, pa PVD-në”.