KOSOVA HEDH POSHTË PRETENDIMET E VUÇIQIT PËR TËRHEQJE TË NJOHJEVE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre ndaj Kosovës. Kjo ministri, në krye të së cilës është Donika Gërvalla Schwarz, përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, thotë se pretendimi i Vuçiqit nuk është vërtetuar. “Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. Gjithashtu kjo ministri ka theksuar se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zgjidhen “me dialog dhe jo me fushata destruktive mediale”. “Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media më 4 janar, deklaroi se është duke pritur nga shteti i dhjetë, që sipas tij, të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk e saktësoi se për cilin shtet bëhet fjalë. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, janë 106 shtete që deri më tani e kanë njohur pavarësinë, që autoritetet e Kosovës shpallën më 2008.

SHARE