PAS HEQJES SË BARRIKADAVE NË VERI TË KOSOVËS, JETA KTHEHET NË NORMALITET

Pas heqjes së barrikadave mbrëmë, të vendosura nga serbët në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, rrugët janë hapur për qarkullim ndërsa jeta po kthehet në normalitet. Në qendrën e Mitrovicës së Veriut shihen ekipet komunale që po bëjnë përgatitje për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Nga ana tjetër, situate mbi urën e Ibrit, që ndan qytetin në pjesën veriore të banuar me shumicë nga serbët me pjesën jugore të banuar me shumicë nga shqiptarët, është e qetë. Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat ishin të mbyllura që nga 10 dhjetori, tashmë sërish janë hapur për qarkullim. Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb në afërsi të kufirit me Kosovën. Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan dje pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh për të.

SHARE