Mijëra udhëtarë janë të bllokuar në aeroportet amerikane pasi anulimet në masë dhe vonesat e fluturimeve kanë vazhduar të mbjellin kaos pas stuhisë vdekjeprurëse dimrore që goditi vendin. Mbi 2,800 fluturime u anulluan dhe 3,200 patën vonesa të mëdha të mërkurën. Pasagjerët përfunduan të dëshpëruar duke fjetur nëpër terminale teksa kërkojnë zgjidhje për këtë situatë. Më e prekura nga anullimet rezulton kompania ajrore Southwest Airlines, e cila fajësoi motin e keq për avionët e lënë në tokë. Megjithatë, sindikatat dhe analistët kanë vënë në dukje një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë ngërç, duke përfshirë këtu dhe mungesën e personelit dhe sistemet e vjetëruara kompjuterike. Presidenti amerikan Joe Biden u shpreh përpara disa ditësh se administrata e tij po punon për të siguruar që linjat ajrore të mbajnë përgjegjësi për ndërprerjet. Ndërkohë, pjesëtarë të Gardës Kombëtare po shkojnë derë më derë në disa zona të Buffalo për të kontrolluar personat e mbetur pa energji gjatë stuhisë më të egër dimërore prej dekadash të tëra. Sipas Associated Press, është i madh rreziku që ata të gjejnë të tjerë persona të pajetë në shtëpitë e akullta apo në grumbujt e borës që nisin të shkrijnë. Autoritetet në rajonin e Buffalos flasin për 34 viktima të regjistruara deri tani nga stuhia më e ashpër që prej vitit 1977, e cila kishte shkaktuar atëherë 29 të vdekur.