Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve të përfshira rreth çështjes së barrikadave në veri, derisa ka njoftuar se po e heton incidentin i cili ndodhi të dielën mbrëma në Zubin Potok, në veri të vendit. Në një njoftim për media, KFOR-i ka thënë se po punohet për zbardhjen e rrethanave të sulmit indirekt në afërsi të patrullës së KFOR-it, teksa është nënvizuar se është e rëndësishme që të shmangen veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe ta përshkallëzojnë situatën. “KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Incident me persona ende të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve. Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhet në deklaratë. Më tej është thënë se palëve u është kërkuar që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe “të parandalojnë narrativat mashtruese që ndikojnë në procesin e dialogut”. “Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, thuhet në njoftim. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka quajtur veprimet në veri si lojëra të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe instrumente të tij kriminale. “Kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.