KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM KOMANDANTIN E KFOR-it DHE SHEFIN E EULEX-it

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark. Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, përbrenda mandateve që kanë, derisa është folur edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Kosovës, të cilat cenojnë rëndë sigurinë në vend. “Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. Gjatë takimit u pajtuam për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë takim është theksuar edhe profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

SHARE