BE: SULMET NDAJ GAZETARËVE NË VERI TË PAPRANUESHME

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar sulmin e fundit ndaj gazetarëve në Zubin Potok, në veri të Kosovës, duke thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se të hënën, 26 dhjetor, është njoftuar për “një tjetër sulm të rëndë” ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu i Kosovës. Sipas AGK-së, për këtë sulm është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Megjithatë, Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë rast. Shqetësim lidhur me sulmet ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu – deri më tani janë raportuar për gjashtë incidente të tilla – ka shprehur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter. “Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, e cila i dëshiroi shërim të shpejtë ekipit të gazetarëve.

SHARE